Vazhdojnë “firot” në Kombëtare/ Pas Laçit dhe Pajazitit, mungon edhe Ivan Balliu i dëmtuar

Thuhet se nuk ka dy pa tre. Dy ditët e grumbullimit, dy ndryshime në listën e futbollistëve dhe një e tretë në horizont për Rolando Maran.
Pas tërheqjes së Qazim Laçit dhe Adrion Pajazitit që në ditën e parë të përgatitjeve dhe zëvendësimit të tyre me Feta Fetain dhe Klevi Qefalijan, trajneri I kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran ka marrë një tjetër lajm të keq.
Ivan Balliu pritej të bashkohej me grupin e skuadrës të martën për të vijuar stërvitjen, por kjo nuk ka ndodhur.
Me anë të një njoftimi për mediat, FSHF zbuloi se mbrojtësi nuk kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, për shkak të një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e fundit me Rayo Vallecano në La Liga.
Balliu iu nënshtrua rezonancës magnetike, e cila zbuloi një dëmtim në kyçin e këmbës. Futbollisti ka nisur programin e rehabilitimit pranë klubit të tij dhe nëse gjendja e tij do të përmirësohet në ditët në vijim do të bashkohet me kombëtaren. Në të kundërt, Maran duhet të gjejë zgjidhje, aq më tepër në krahun e djathtë të mbrojtes, ku lojtar tipik për momentin është vetëm Elseid Hysaj, por edhe ky ende pa skuadër.
Për këtë arsye, pritet që tekniku të bëjë një tjetrër ndryshim në listën e futbollistëve për ndeshjet në Ligën e Kombeve.
Deri atëherë, me lojtarët e tjerë në dispozicion, kombëtarja kuqezi zhvilloi seancën e dytë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.
Pas ditës së parë, ritmi dhe ngarkesa ishte më e madhe.
Skuadra kuqezi do të vijojë përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit” për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Aventura e kuqezinjve në këtë turne nis më 26 shtator në “Air Albania” kundër Bjellorusisë, vijon me dy transfertat kundër San Marinos dhe Finladës dhe mbyllet sërish në Tiranë më 6 tetor me ndeshjen e kthimit kundër San Marinos.