Veliaj: Mos më vendosni në kafaz, kjo masë është poshtëruese. Dua të njihem me aktet e plota të dosjes

Erion Veliaj është përballur sërish me drejtësinë paraditen e kësaj të martë ku ishte i pranishëm në seancën paraprake ku pritej vendimi nëse çështja ndaj tij do të kalonte apo jo për gjykim.
Veliaj i është drejtuar trupit gjykues me 3 kërkesa, ku e para ishte heqja e kafazit metalik që sipas tij është një mjet poshtërues, pasi ai nuk është person i rrezikshëm.
“Heqjen e menjëhershme të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ, që e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës”, tha Veliaj.
Mungesa e plotë e akteve të dosjes, që sipas Veliaj ende nuk i janë vendosur në dispozicion, ishte kërkesa e dytë parashtruar në letrën e tij.
“Vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime”, shtoi Veliaj.
Fjalën e tij kryebashkiaku e mbylli duke kërkuar shtyrjen e seancës paraprake, në mënyrë që të lexojë dosjen dhe të ketë mundësinë e mbrojtjes.
“Shtyrjen e procedurës, derisa kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Gjykata pranoi kërkesën e Veliajt duke caktuar datën 5 dhjetor për seancën e radhës.