E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veliaj nderon Ermonela Jahon, artistja e famshme merr “Kullën e Sahatit”

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj priti në një takim artisten shqiptare Ermonela Jaho. Veliaj i dhuroi Kullën e Sahatit, si një simbol i cili tregon se është gjithmonë koha për tu kthyer në atdhe.

“Ne të jemi shumë mirënjohës për kontributin tënd. Ti je një ambasadore për vendin, imazh i Shqipërisë moderne, i Shqipërisë që punon, i Shqipërisë së mirë, i Shqipërisë së mbarë, i Shqipërisë që beson te talenti, te djersa, te puna. Dua që me këtë simbolikë të vogël të Sahatit, i cili do të të tregojë gjithmonë orën e saktë të Tiranës, t’i thuash vetes se ndoshta është gjithmonë koha për t’u kthyer te zemra jote, të shtëpia jote. Por, edhe për të të kujtuar se vitin tjetër ne do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj nëse ke miq, dashamirës, partnerë, që do dëshiroje t’i ftoje për të bërë gjëra të bukura në Tiranë, ne jemi të lumtur të të ndihmojmë”, u shpreh Veliaj.

Por kryebashkiaku tha se për të gjithë ata që nuk kanë mundur të gjejnë bileta për koncertin e artistes, bashkia ka gati një zgjidhje.

“Për të gjithë ata që ndoshta pezmatohen që koncerti sot në darkë është i shitur, ne kemi një lajm të mirë: Do të vendosim një skenë jashtë, me një ekran të madh dhe karrige, për të gjithë ata artdashës që do të donin të shijonin qoftë edhe nga jashtë, atë mrekulli që do të na dhurojë në Teatrin e Operas së Baletit, e dashura jonë, zemra jonë, Ermonela Jaho”, tha ai.

Koncerti i titulluar “Rikthimi i Dallëndyshes” shënon dhe rikthimin e artistes në teatrin e operas dhe baletit aty ku dhe nisi karrierën saj artistike. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›