E Martë, 3 Nëntor 2026

Veliaj përcjell ambasadorin britanik, kryebashkiaku i Tiranës i jep çelësin e qytetit

Në përfundim të mandatit të tij si ambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith u nderua me “Çelësin e Qytetit” nga kryebashkiaku Erion Veliaj, në një ceremoni të posaçme në Bashkinë e Tiranës.

“Në emër të qytetit të Tiranës, në emër të Këshillit Bashkiak, të atyre qytetarëve, që jam i sigurt që, nëse nuk i ke takuar fizikisht i ke prekur me fjalën tënde, me kontributin tënd, do të doja të kishe një çelës për t’u kthyer, jo vetëm te kjo tarracë, por në çdo centimetër katror të këtij qyteti. Ndaj dua t’ju akordoj Çelësin e qytetit të Tiranës, si një mënyrë për ta hapur gjithmonë derën, dhe sigurisht si një alibi për t’u kthyer gjithmonë këtu për gëzime, për festa dhe për punë të bukura”.

Qëndrimi i Britanisë së Madhe në krah të Shqipërisë në ditët më të vështira, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen financiare në Konferencën e Donatorëve, për përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar u vlerësuan nga kryebashkiaku i Tiranës.

“Në ditët tona të vështira, qofshin këto ditët e Luftës së Dytë Botërore, qofshin këto ditët e Luftës në Kosovë, apo qofshin këto ditët me luftën e rrënojave të tërmetit, Britania e Madhe ka qenë aty për ne, dhe ju si përfaqësues i Britanisë së Madhe keni qenë aty me ne. Britania e Madhe ka qenë gjithmonë në krah të Shqipërisë. Nuk do të harrohet kurrë mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar edhe në përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit 2019, 5 vite më përpara, kur në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve qeveria britanike ka qenë ndër të parët që ka ofruar një ndihmë financiare për rindërtimin e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë”,

Veliaj u ndal edhe te marrëdhëniet dypalëshe, që janë konkretizuar si në marrëveshjet e nënshkruara në fusha të ndryshme, ashtu edhe në mikpritjen që Londra i ka bërë shqiptarëve qe jetojnë atje prej vitesh./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›