E Premte, 6 Nëntor 2026

Vëllai i Meghan Markle përfshihet në hetimet për pornografi me fëmijë, dëshmitarët pretendojnë se në shtëpinë e tij dërgoheshin vajza të mitura

Thomas Markle Jr., vëllai i Meghan Markle, është vënë në fokus të hetimeve që po zhvillohen në Filipine lidhur me një rast të dyshuar të pornografisë me fëmijë.

Dëshmitarët kanë pretenduar se në shtëpinë e tij dërgoheshin vajza të mitura, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së tij në këtë rast.


Ministri i Brendshëm i Filipineve, Juanito Victor Remulla, ka konfirmuar se Thomas Markle Jr. konsiderohet person me interes për hetimin, por deri më tani nuk është shpallur i dyshuar zyrtarisht.

Thomas Jr.

“Ekzistojnë indicie se edhe djali mund të jetë i përfshirë në veprën penale. Por, për momentin, ai është vetëm person me interes dhe ende nuk trajtohet si i dyshuar”, ka deklaruar Remulla në një konferencë për media në Manila, raporton “The Telegraph”.

Sipas ministrit, dëshmitarët i kanë thënë policisë se në shtëpinë e 60-vjeçarit në Filipine dërgoheshin vajza të mitura.

Ndërkohë, Thomas Jr. u ka deklaruar autoriteteve se në atë shtëpi “vetëm incizonte video për TikTok”.

Ironikisht, ishte pikërisht vëllai i Meghan Markle ai që më herët kishte denoncuar babanë e tyre, Thomas Markle Sr., duke pretenduar se në shtëpinë e tij kishte gjetur materiale që përmbanin abuzim seksual ndaj fëmijëve.

Më 3 nëntor, policia filipinase njoftoi se materiale të tilla ishin gjetur në kompjuterë, telefona dhe pajisje të tjera të sekuestruara nga një banesë në Cebu.

Ndërkohë, autoritetet meksikane kanë kontrolluar edhe një ish-magazinë të Thomas Markle Sr. në Rosarito, pas raportimeve për gjetjen e fotografive eksplicite dhe revistave me imazhe të vajzave të mitura.

Babai i Meghan Markle ka pranuar se në Filipine kishte paguar për marrëdhënie seksuale me gra të rritura, por ka mohuar çdo përfshirje me të mitura dhe posedimin e materialeve pornografike me fëmijë.

Sa i përket Meghan Markle, ajo nuk ka pasur kontakte me të atin që nga periudha para martesës me Princin Harry në vitin 2018.

Dukesha është shprehur më herët se ishte thellësisht e tronditur nga akuzat ndaj babait të saj dhe se kishte vendosur të mos lejonte kontaktin e tij me fëmijët e saj për t'i mbrojtur ata. /Telegrafi/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›