E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimet e qeverisë-Nga financimi për kërkimin shkencor te financimi për Bashkësitë Fetare

Qeveria ka miratuar vendime dhe projektligje në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. Vendimet e Këshillit të Ministrave nisin me miratimin e kërkesave, procedurave dhe standardeve për menaxhimin e mbetjeve spitalore, ku objekt i këtij vendimi është “miratimi i kërkesave, procedurave dhe standardeve për menaxhimin e mbetjeve spitalore, në përputhje me sistemin për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe hierarkinë e mbetjeve, me qëllim mbrojtjen e mjedisit e të shëndetit publik.”

Gjithashtu, është miratuar edhe modeli i financimit të buxhetit “për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë, me qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm, transparent dhe të matshëm të financimit të kërkimit shkencor, i cili zbatohet për të gjitha institutet dhe njësitë e veçanta publike kërkimore, në varësi të ministrive dhe institucioneve qendrore të administratës shtetërore”.

Ndërkaq, është shpallur “zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territoret e Bashkive: Tropojë, Gramsh, Sarandë, Kuçovë.

Mes vendimeve të tjera të qeverisë është edhe krijimi i fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale, “të njohura si të tilla nga ministri përgjegjës për çështjet sociale, me vlerë të përgjithshme  210 000 000 (dyqind e dhjetë milionë) lekë, për periudhën 2026-2028, sipas produktit përkatës të parashikuar në programin buxhetor afatmesëm “Përkujdesjasociale”.

Po ashtu është miratuar në parim të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025.

Këshilli i Ministrave ka miratuar përcaktimin e masës së “financimit në buxhetin e vitit 2026 për Bashkësitë Fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.  Masa e financimit, prej 203 000 000 (dyqind e tremilionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2026, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare”.

Në vendimet e qeverisë është edhe dhëni e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për disa ndryshime në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›