Vendimi për vizat, VanHorn: Siguria ekonomike është siguri kombëtare

TIRANË, 15 janar/ATSH/ E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn gjatë një aktiviteti për promovimin e teknologjisë amerikane të komunikimit, citoi fjalët e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, duke theksuar se “siguria ekonomike është siguri kombëtare”.
Ambasada e ShBA-së në Tiranë, në një postim në rrjetet sociale ndau citimin e VanHorn: gjatë aktivitetit. “Siç ka thënë Presidenti Trump, ‘siguria ekonomike është siguri kombëtare’. Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm për sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike, ku teknologjia që zgjedhin vendet ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve”, u shpreh e ngarkuara me punë, Nancy VanHorn, gjatë aktivitetit për promovimin e teknologjisë amerikane të komunikimit.
Deklarata e VanHorn vjen pas vendimit të ShBA-ve për pezullimin e dhënies së vizave për 75 vende, mes të cilave përfshihen Shqipëria dhe Kosova.
Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka sqaruar se cilët qytetarë shqiptarë mund të vijojnë të udhëtojnë drejt ShBA-së dhe cilat kategori janë të ndaluara.
Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, shtetasit shqiptarë që disponojnë vizë amerikane lejohen të udhëtojnë drejt ShBA-së vetëm për qëllime turizmi, pushimesh, blerjesh, takimesh biznesi ose vizitash te miqtë dhe të afërmit.
Ambasada thekson se nuk lejohet udhëtimi drejt ShBA-së me qëllim lindjen e fëmijës, studimin për një diplomë apo punësimin.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendim për pezullimin e vizave të emigrantëve për 75 vende, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova.
“Është përgjegjësia juaj ta përdorni vizën tuaj në mënyrë korrekte”, deklaron Ambasada e ShBA-së në reagimin e saj në rrjetet sociale.
Aktiviteti për teknologjinë e konunikimit - Foto të publikuara nga Ambasada e ShBA në Tiranë 1 nga 9/a.f/r.e/