Vendosen gurthemelet për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër

PRISHTINË, 1 korrik/ATSH/ Është vendosur gurthemeli i dy urave të reja mbi lumin Ibër, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Në ceremoninë e vendosjen e gurthemelit morën pjesë kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Gurthemeli i urës për qarkullimin e automjeteve u vendos në afërsi të ndërtesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ndërkaq, gurthemeli i urës për kalimin e këmbësorëve u vendos përballë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë” në Mitrovicën e Jugut.
/KosovaPress/