Vengu: Efektivët e Forcës Detare mesazhe festash që na mbushin me krenari

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka përcjellë sot përmes një videoje, disa mesazhe nga efektivët shqiptarë të Forcës Detare që janë me mision në Detin Egje.
Ministri thotë se mesazhet e tyre të veçanta vijnë në prag të Festave të Nëntorit, ndërsa “me flamurin kombëtar në duar dhe zemrën plot krenari, ata na kujtojnë se, pavarësisht distancës, fryma atdhetare mbetet gjithmonë e gjallë”.
“Valët e detit na mbajnë gjithmonë të lidhur me atdheun, në lartësitë e Detit Egje ju dërgojmë përshëndetjet tona për 28-28 nëntorit dhe 80-vjetorin e Çlirimit”, thotë një nga efektivët në mesazhin e tij.
“Deti është vendi ku forca, guximi dhe bashkimi na udhëheqin. Nga misioni ynë në Detin Egje ju urojmë gëzuar festat e 28-29 nëntorit dhe një përvjetor të paharrueshëm të Çlirimit të Shqipërisë”, thuhet në një tjetër që i bashkohet urimeve të efektivëve të Forcës Detare me mision në Detin Egje.
Një tjetër efektiv i Forcave Detare thekson në mesazhin e tij se “misioni në Detin Egje na kujton çdo ditë se liria dhe siguria janë vlera të patjetërsueshme”.
/a.f/