E Diel, 1 Nëntor 2026

Vengu me studentët shqiptarë në Strugë e Tetovë: Mohimi i shqipes rrezikon të rinjtë

TIRANË, 13 maj/ATSH/  Deputeti i Partisë Socialiste Pirro Vengu gjatë vizitës dyditore në Maqedoninë e Veriut është takuar dhe me studentët e Strugës dhe Tetovës, ku u shpreh se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje etnike, por atë që ai e cilësoi si “normalitet europian”, duke mbështetur kërkesat e tyre për zhvillimin e provimeve shtetërore në gjuhën shqipe.

Vengu tha se mohimi apo neglizhimi i gjuhës shqipe përbën jo vetëm padrejtësi, por edhe rrezik për të ardhmen profesionale dhe sociale të të rinjve shqiptarë në vend.

“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje etnike, por një normalitet europian. Kjo është beteja e drejtë që studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po bëjnë me dinjitet, guxim dhe qytetari, duke u kthyer në një frymëzim për gjithë. Mohimi apo neglizhimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht padrejtësi, por rrezik për të ardhmen profesionale, sociale dhe njerëzore të qindra mijëra të rinjve që duan të ndërtojnë jetën në vendin e tyre. Kjo kauzë meriton të dëgjohet, të mbështetet dhe të fitojë”, tha Vengu.

Studentët në Maqedoninë e Veriut prej muajsh protestojnë për kryerjen e provimeve shtetërore në gjuhën shqipe dhe mesa duket kjo çështje tashmë është kthyer dhe në politike.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›