E Martë, 3 Nëntor 2026

Vengu ndjek nga afër punën për shuarjen e zjarrit në landfillin e Elbasanit: Duhen zgjidhje afatgjata

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Në landfillin e Elbasanit ka nisur ndërhyrja nga ajri për fikjen e zjarrit.

Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile njoftoi më herët se për shuarjen e zjarrit u angazhuan mbi 100 forca, mjete zjarrfikëse dhe mjete të rënda, të cilat kanë shkarkuar mbi 10 mijë tonë dhera në përpjekje për fikjen e zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu qëndroi rreth 5 orë në landfillin e përfshirë nga flakët ndërsa së bashku me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe drejtorin e Emergjencave Civile, Haki Çako, e vunë theksin në nevojën e ndërhyrjeve afatgjata.

“Jemi në një situatë ku ka rënie të intensitetit dhe kjo është gjë e mirë, ndaj duhet të vazhdojmë përpjekjet për fikjen totale, sipas kërkesave të grupit në terren që përcakton nevojat. Pas kësaj situate duhet të merren vendime për sa i përket përgjegjësive, të ardhmes së këtij vendgrumbullimi, shtrirjes së tij, metodat se si kapsulohet dhe kemi një grup në punë e sipër nga Ministria e Mjedisit dhe bashkia, të cilët shumë shpejt do të na thonë planet, në mënyrë që këto ndodhi të mos përsëriten”, tha Vengu, raporton “Top Channel”.

Ministri Vengu u shpreh se “ekspertët janë duke bërë matjet për nivelin e ndotjes në zonën e landfillit dhe në qytet”.

Përgjatë tri ditëve Elbasani është përfshirë nga 7 vatra të ndryshme zjarresh, të cilat e kanë bërë situatën emergjente.

“Kanë qenë të shumta zjarrvëniet në këto tri ditë. Tri vatra vetëm sot, ku dhe u rrezikuan dhe banesa. Situatë e vështirë prej tri ditësh. Situata më e vështirë ajo në landfill, të gjitha të tjerat janë fikur tashmë”, tha Llatja.

Kreu i Emergjencave Civile Çako tha se “institucionet duhet të hetojnë për të vënë para përgjegjësisë zjarrvënësit, që në shumicën e rasteve ka autorë, me apo pa dashje. Duhet të hetohet për të gjitha rastet”.

Sipas ekipeve në terren ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar, por nuk rezulton efikase në situata të tilla si landfillet, të cilat kanë specifikat e tyre, për shkak të thellësisë që ka zjarri dhe përbërjes së materialeve në të.

/k.s//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›