E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veterani i UÇK-së çon në Hagë kryeparlamentarin, shkak bëhet punimi shkencor i Dimal Bashës dhe qëndrimet për luftën

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashniku dhe avokati i tij, Gent Gjini, dorëzuan të premten në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal kundër kryeparlamentarit Dimal Basha në lidhje me shkrimin e 2012-ës, ku Basha ishte bashkautor dhe ku u raportua se mes të tjerash shkruhej se UÇK-ja financohej edhe nga trafikantët e drogës.

Sipas avokatit të Pllashnikut, Dimal Basha duhet të vihet para përgjegjësisë penale.

“Dimal Bashën e pret përgjegjësia penale, pse jo edhe burgu për ditët në vijim, kur do të mbahen seancat gjyqësore. Është nxitja e përçarjes kombëtare dhe ne do të kërkojmë nga Prokuroria Speciale që nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar të marrim revistën shkencore në tërësi, sepse vetë Dimal Basha tani mundohet të luaj lojë fjalësh. Thotë se është fshirë kapitulli i tretë dhe thotë se Komiteti i Fakulteteve e ka pranuar kërkesën e tij. Kjo është lojë fjalësh dhe është për t’u shmangur dhe për të krijuar një alibi, ta fsheh përgjegjësinë e tij, sepse po të ishte e vërtetë, ai do ta bënte publik në Facebook,” tha ai.

Pasi u zgjodh në krye të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha u përball me raportimet për punimin shkencor me titull “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”, ku ndër të tjera shkruhej se “fondet për Ushtrinë Çlirimitare të Kosovës vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Pas kësaj kreyparlamentari i Kosovës shpjegoi se në punim kishte kontribuar me një hulumtim për çështjen e depërtimit të islamit fundamentalist në Europën Juglindore dhe në asnjë vend nuk kishte përmendur UÇK-në.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›