Vijon në ditën e 122-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Protesta qytetare kundër investimit të planifikuar në Zvërnec vijoi pasditen e sotme në kryeqytet, duke shënuar ditën e 122-të radhazi.
Qytetarët fillimisht u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Protestuesit kundërshtojnë projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investimet strategjike.
Me pankarta në duar dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit vijuan të artikulonin kërkesat e tyre për largimin e të ashtuquajturës “kastë e vjetër politike”.
Aktivistët bënë thirrje për vijimin e mobilizimit qytetar.
Protesta, e nisur më 31 maj, ka parashtruar një sërë kërkesash, që nga anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”, si edhe kërkesa politike për largimin e klasës politike në vend.
Vijon në ditën e 122-të protesta para Kryeministrisë, foto: Florian Abazaj 1 nga 6/a.f/r.e/