“Viktimat e dhunës me bazë gjinore“- Pas forcimit të ligjit, duhet mbështetje për riintegrimin

“Shqipëria ka forcuar ndjeshëm kuadrin ligjor për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore, por financimi ende nuk garanton zbatimin e plotë të tij”.
Kjo ishte një nga gjetjet e studimit “Me çfarë kostoje? Kostimi i shërbimeve të specializuara për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Shqipëri” të realizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, që iu bë e ditur ligjvënësve, por edhe drejtuesve të institucioneve, me qëllim përmirësimin e financimit për t’iu ardhur në ndihmë viktimave të dhunës me bazë gjinore.
“Mundësitë që kanë donatorët po vijnë gjithnjë e duke u pakësuar dhe kjo duhet të zëvendësohet me kontributin e shtetit. Megjithatë, kjo mund të realizohet vetëm kur sigurohet rritja ekonomike. Këta elementë janë shumë të rëndësishëm për të kuptuar pse ne duhet të buxhetojmë me kujdes dhe pse duhet të bëjmë një kostifikim të saktë. Nga viti 2019 deri në vitin 2026, buxheti për këto shërbime rezidenciale është rritur gjashtë herë”, u shpreh Milva Ekonomi.
Këto gjetje u bënë të ditura gjatë një Tryeze Kombëtare, ku u diskutua për të drejtat e parashikuara në ligj, që duhet të përkthehen në shërbime të kostuara, linja të dedikuara buxhetore dhe financim publik të mjaftueshëm, të qëndrueshëm e shumëvjeçar.
Sugjerohet që Shqipëria duhet të kalojë nga një sistem i mbështetur kryesisht në shpenzimet historike dhe projektet afatshkurtra drejt një modeli financimi të bazuar në të drejta, standarde, kërkesë reale dhe rezultate.
Kostimi të bëhet pjesë e detyrueshme e planifikimit buxhetor, të krijohet një sistem financimi publik i qëndrueshëm dhe shumëvjeçar, të financohet e gjithë rruga e mbështetjes së të mbijetuarës, të përmirësohen kapaciteti dhe shpërndarja territoriale e shërbimeve, të lidhen të dhënat financiare me shërbimet dhe rezultatet, të forcohet monitorimi, transparenca dhe llogaridhënia.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/