Virozat e stinës, mjekja Pema: Prekin edhe foshnjat që ushqehen me gji. Temperatura e lartë, shenja kryesore

Virozat e stinës vijojnë të prekin fëmijët, duke shqetësuar prindërit për temperaturat e larta dhe simptomat e forta që shfaqen në ditët e para. Mjekja Ada Pema nga Konsultorja e Qendrës Shëndetësore nr. 2 në Tiranë, e ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, deklaroi se edhe foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri nuk kanë imunitet të plotë, ndaj mund të infektohen nga virozat sezonale.
Shenjat kryesore që janë shfaqur gjatë kësaj periudhe janë temperatura e lartë që rritet shpejt, kolla, hundët e zëna, dhimbjet e fytit, lodhja e theksuar dhe ulja e oreksit. Ndërkohë, diarreja dhe të vjellat kanë qenë raste shumë të rralla.
“Moshat e vola që ushqehen me qumësht gjiri nuk kanë imunitet të plotë që s’mund të infektohen nga virozat e stinës.
Shenjat kryesore të virozave: temperatura e lartë, që ngrihet shumë shpejt, kollë, hundë të zëna, dhembje fyti, lodhje e theksuar, ulje oreksi, këto kanë qenë shenjat kryesore që janë shfaqur këto kohë, ndërsa diarreja dhe të vjellat kanë qenë raste shumë të rralla”, deklaroi ajo.
Duke folur për dallimin mes virozës dhe gripit të zakonshëm, mjekja Pema theksoi se nuk ka një kufi të qartë ndarës, por gripi i këtij sezoni është shoqëruar me temperatura shumë të larta. Ajo këshillon që në rastet kur prindi nuk arrin të menaxhojë temperaturën ose fëmija nuk ushqehet, është e domosdoshme paraqitja në qendrën shëndetësore për vizitë mjekësore.
“Nuk ka një kufi. Gripi që kemi pasur këtë sezon, është me një temperaturë shumë të lartë.
Në momentin që prindi nuk menaxhon dot temperaturën, nuk ushqehet, është e këshillueshme të paraqitet në qendrën shëndetësore dhe të vizitohet”, tha mjekja.
Sa i përket rasteve me COVID-19 te fëmijët, mjekja konfirmoi se ato ende ekzistojnë, por kanë kaluar lehtë, si një virozë e zakonshme, pa pasur nevojë për trajtime specifike. Vetëm në raste të rralla, kur ka komplikacione dhe mbivendosje të infeksioneve bakteriale, është dashur trajtim ambulator me antibiotik.
“Po ka ende. Por COVID ka kaluar lehtë si virozë e zakonshme, nuk ka pasur nevojë për trajtim shumë specifik. Në raste të rralla sigurisht kemi nevojë për trajtim ambulator me antibiotik kur komplikohet, kur mbivendosen infeksionet bakteriale”, shtoi Pema.
Në fund, ajo apeloi për moskeqpërdorimin e antibiotikëve, duke theksuar se shumë prindër nxitojnë ose ushtrojnë presion ndaj mjekëve për t’i përdorur ato. “Antibiotikët nuk veprojnë ndaj virozave, përfshirë gripin. Përdorimi i panevojshëm sjell vetëm efekte anësore dhe rrit rezistencën bakteriale”, përfundoi mjekja Pema.
/rtsh.al/