E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vit mesatar për prodhimin e mjaltit, shtatori i rëndësishëm për përgatitjen e bletëve për dimërim

Prodhimi i  bletëve për këtë vit është vlerësuar si mesatar.

Ky rezultat nuk lidhet vetëm me punën dhe përkushtimin e bletarëve, por ndikohet drejtpërdrejt nga natyra, kushtet atmosferike dhe ndryshimet e temperaturave.

Një nga familjet që e ruan dhe e përcjell prej dekadash këtë traditë është familja Osmani në Gjirokastër.

Prej mbi 30 vitesh, ata merren me kujdesin dhe rritjen e bletëve, duke krijuar një përvojë të gjatë në këtë sektor.

Edmond Osmani, një prej anëtarëve të familjes, rrëfen se pavarësisht sfidave që shfaqen nga viti në vit, ata e kanë tregun e siguruar për produktet e tyre. 

“prodhimi i bletëve për këtë vit ishte mesatar, as shumë i mirë dhe as negativë.  Prodhimi varet shumë nga natyra. Ndërsa tregun ne e kemi të garantuar sepse kemi klientët tanë prej vitesh dhe e shesim sapo e nxjerrim mjaltin.”

Ai shpjegon se muaji shtator ka një rëndësi të veçantë, pasi shërben si periudha bazë e përgatitjes së bletëve për dimër. Gjatë kësaj kohe, bletarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm për t’u siguruar që kosheret të jenë të forta dhe të shëndetshme.

“Muaj shtator është baza për dimërimit të bletë. Tani i kontrollojmë për ushqimin , për bazën dhe sa ushtri ka. Po qe ndonjë koshere e dobët e ndihmojmë me ushqim.”

Edmondi pranon se humbja e disa koshereve është një dukuri e zakonshme në bletari, që ndodh pothuajse çdo vit. Për këtë arsye, gjatë verës ai është përpjekur t’i zëvendësojë, në mënyrë që të ruajë sa më shumë prodhimin dhe vazhdimësinë e punës. 

“Varroatoza është një nga sëmundjet që na i ul numrin e bletëve. Sado që ne i luftojmë atë ato na i ulin numrin por i zëvendësojmë gjatë beharit duke krijuar familje të reja.”

Aktualisht, ai ka në përkujdesje rreth 350 koshere me bletë, një numër që kërkon angazhim të madh dhe përkushtim të përditshëm. Pavarësisht vështirësive që sjell ky sektor, familja Osmani vazhdon ta mbajë gjallë traditën e bletarisë në Gjirokastër, duke e konsideruar atë jo vetëm një burim të ardhurash, por edhe një pasion që lidhet ngushtë me natyrën dhe trashëgiminë familjare.

Gazetare B.Pëllumbi 

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›