Viti i Ri 2025, atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarresh në çdo qytet

TIRANË, 1 janar /ATSH/ Nata e ndërrimit të viteve është pritur me një atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarresh në të gjitha qytetet e vendit.
Nga veriu në jug, qytetarët sfiduan temperaturat tejet të ulëta, duke dalë në rrugë e sheshe për të festuar.
Ata preferuan të festojnë në sheshe, teksa ndoqën edhe spektaklin e fishekzjarreve të organizuar nga bashkitë, por edhe koncertet e ndryshme me këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare.
Në Tiranë, qindra qytetarë e pritën Vitin e Ri 2026, në sheshin “Skënderbej”, mes spektaklit të fishekzjarreve, që ndriçoi qiellin e kryeqytetit dhe tingujve të muzikës.
Qytetarët e Elbasanit mirëpritën Vitin e Ri duke mbushur sheshin kryesor dhe duke parë spektaklin e fishekzjarreve të hedhura nga Bashkia. Qyteti u ndez nga zhurma dhe ngjyrat e fishekzjarreve, teksa atmosfera festive ka qenë e veçantë.
Edhe në Lezhë, në Parkun përballë vendvarrimit të Skënderbeut, qytetarët pritën vitin 2026 me spektaklin magjepsës të fishekzjarreve, që kishte organizuar bashkia Lezhë.
Ndërsa në Korçë, nata e ndërrimit të viteve u prit me një spektakël fishekzjarresh tek Sheshi para Katedrales, ndërkohë që parashikohen koncerte dhe aktivitete të tjera muzikore gjatë ditëve të para të vitit.
Vlora festoi ndërrimin e viteve me muzikë dhe atmosferën unike të festës në një koncert të organizuar nga bashkia me këngëtarët Ronela Hajati, Sardi Strugaj dhe Lorenc Hasrama.
Me muzikë shkodrane nga këngëtari i njohur Sidrit Bejleri dhe spektakël fishekzjarresh qytetarët e Shkodrës pritën në shesh natën e ndërrimit të viteve.
1 nga 15/m.m/a.f/