E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita në Korenë e Jugut, Rama takim me homologun Kim Min-seok: Forcojmë bashkëpunimin në tregti, investime dhe inteligjencë artificiale

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut, u prit në një takim nga homologu koreano-jugor, Kim Min-seok. Dy liderët diskutuan mundësitë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjatë takimit, Rama u shpreh se Koreja e Jugut është një burim frymëzimi për Shqipërinë në aspektin e zhvillimit kombëtar. Ai nënvizoi se të dy vendet kanë ngjashmëri të mëdha, pasi kanë kapërcyer vështirësi dhe kanë arritur zhvillim ekonomik e demokratik, pavarësisht distancës gjeografike.

“Shqipëria është e interesuar të forcojë bashkëpunimin në fushat e tregtisë, investimeve dhe inteligjencës artificiale”, tha Rama.

Në takim u fol edhe për 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Me Kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, u fol për 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ngjashmëritë e historive tona dhe bashkëpunimin e mëtejshëm, me fokus teknologjinë, Inteligjencën Artificiale dhe turizmin”, shkruan Rama në facebook.

Sipas mediave koreane, Kim shprehu dëshirën për të zgjeruar shkëmbimet dhe bashkëpunimin me vendi ynë, duke vënë në dukje se Shqipëria ka emëruar ministrin e parë të inteligjencës artificiale (AI) në botë, “Diella”. Ai theksoi se edhe Koreja e Jugut i kushton rëndësi të veçantë teknologjive të avancuara dhe zhvillimit të AI-së.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Ramës në Seul, ku ai mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›