Vizitat dentare për fëmijët, stomatologët këshillojnë kontrolle të rregullta

Ndërsa nxënësit rikthehen në bankat e shkollës, specialistët e shëndetit oral në Kukës po bëjnë apel për më shumë vëmendje ndaj vizitave të rregullta dentare, sidomos për fëmijët dhe adoleshentët.
Sipas mjekëve stomatologë, shumë prindër u drejtohen klinikave dentare vetëm në raste urgjente, duke neglizhuar kontrollin rutinë që mund të parandalojë probleme më serioze në të ardhmen.
“Zakonisht e kemi një javë para se të fillojë shkolla. Nga viti në vit ka filluar njëfarë ndërgjegjësimi. U themi familjarëve, por prapë shikojmë mangësi te pjesa e fëmijëve. Te stomatologu ata duhet të vijnë se s’bën duke filluar nga mosha 5–6 vjeç e sipër,” këshillon stomatologu Fatjon Yzeiraj.
Problemet dentare, në shumicën e rasteve, nuk japin simptoma në fazat e hershme. Prandaj, një vizitë çdo 6 muaj është thelbësore për të mbrojtur shëndetin oral dhe për të krijuar zakone të mira higjiene që në fëmijëri. Adoleshentët përbëjnë një tjetër grup që kërkon vëmendje.
“Pjesa e emigrimit, ata normalisht janë larg mjekut dhe larg kontrolleve në mënyrë periodike,” tregon z. Yzeiraj.
Mjekët stomatologë theksojnë se vizitat e thjeshta te dentisti mund të bëjë ndryshimin mes një fillimi të shëndetshëm dhe problemeve që mund të shmangen.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/