Vjen reagimi i Trump pas humbjes: Nëse do të isha në fletën e votimit, do të kishim fituar! Nuk shqetësohem për shkarkimin

Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, duke deklaruar se nuk është aspak i shqetësuar për mundësinë e një tjetër procesi shkarkimi nga detyra, tashmë që demokratët kanë rimarrë kontrollin e Kongresit.
I pyetur nga gazetarët nëse e shqetëson mundësia e një shkarkimi të tretë, Trump u përgjigj prerazi: “As edhe pak”.
Ai pretendoi se një përpjekje e tillë do të kishte pasoja të rënda për demokratët.
“Do ta shkatërronte Partinë Demokratike. Do të ishte një shkarkim pa asnjë arsye”, deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar se “vendi ynë është më i suksesshëm tani se në çdo kohë në historinë e tij”.
Trump është përballur dy herë më parë me procedura shkarkimi të nisura nga Dhoma e Përfaqësuesve, por në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm nga Senati.
Gjatë komunikimit me mediat, presidenti u pyet edhe për deklaratën e zëvendëspresidentit JD Vance, i cili kishte fajësuar luftën me Iranin për humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Trump u shpreh se deklarata e Vance ishte “kryesisht e vërtetë”, duke pranuar se konflikti kishte ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve.
“Është kryesisht e vërtetë. E rriti pak çmimin e benzinës, në afat të shkurtër”, tha ai.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë këmbënguli se nuk pendohet për vendimin për të ndërmarrë luftën me Iranin dhe se do të vepronte njësoj edhe nëse do të përballej sërish me të njëjtën situatë. Sipas tij, ajo që shqetësoi votuesit ishte rritja e çmimit të benzinës dhe jo vetë lufta.
I pyetur nëse kishte ndonjë keqardhje për mënyrën se si e përfundoi fushatën elektorale, Trump iu rikthye bindjes se humbjet nuk pasqyrojnë mbështetjen që gëzon personalisht.
“Nëse do të isha në fletën e votimit, do të kishim fituar”, deklaroi ai.
Trump tha se republikanët nuk arritën të përçonin te kandidatët e tyre mbështetjen që ai kishte marrë gjatë tubimeve elektorale.
“Ishte një dashuri e jashtëzakonshme, ishte mjaft e mahnitshme”, u shpreh presidenti, duke iu referuar pjesëmarrjes dhe entuziazmit në takimet e tij me mbështetësit.
Gjatë fjalës së tij, Trump u ndal edhe te politikat e administratës për emigracionin, duke i cilësuar ato si një prej sukseseve të qeverisjes së tij.
“Asnjë migrant i paligjshëm nuk është lejuar të hyjë në vendin tonë”, deklaroi ai, pa dhënë detaje të tjera mbi këtë pretendim.
Trump: Salla e ballove do të jetë një nga ndërtesat më të mëdha në Uashington
Pavarësisht humbjeve elektorale dhe pyetjeve për të ardhmen politike të republikanëve, Trump i kushtoi një pjesë të konsiderueshme të deklaratave të tij projektit të ndërtimit të sallës së ballove në krahun lindor të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti e cilësoi projektin si një ëndërr të kahershme të presidentëve amerikanë, duke u ndalur te materialet dhe cilësia e ndërtimit.
“Ka qenë një ëndërr për një president të ketë një sallë vallëzimi”, tha Trump, ndërsa përshkroi strukturën prej çeliku dhe përdorimin e mermerit.
Ai deklaroi se ndërtesa e re, e planifikuar të jetë më e madhe se vetë Shtëpia e Bardhë, do të jetë “një nga ndërtesat më të mëdha në Uashington DC”.
Trump e përshkroi punën për ndërtimin e saj si relaksuese dhe theksoi rëndësinë që, sipas tij, ka ky projekt për simbolikën e presidencës amerikane.
“Shtëpia e Bardhë është simboli përfundimtar i Amerikës. Duhet të jetë perfekte”, deklaroi ai.
Presidenti amerikan u ndal edhe te projektet e tjera të zbukurimit të kryeqytetit, duke pretenduar se administrata e tij e ka transformuar pamjen e Uashingtonit.
“E kemi bërë DC-në… të bukur, dhe të gjithë po flasin për të”, tha Trump.
Ai përmendi edhe ndërhyrjet në pishinën reflektuese pranë memorialit të Abraham Linkolnit, ku kishte zhvilluar një prej daljeve të fundit publike përpara zgjedhjeve të mesmandatit, duke përdorur pamjet e punimeve për të promovuar projektet e administratës së tij.