E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia zyrtarizon Csaba László në stolin kuqeblu

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Csaba László është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë. Klubi shkodran ka konfirmuar marrëveshjen me teknikun hungarez 62-vjeçar, i cili zëvendëson Edi Martinin në stolin kuqeblu.

László ka mbërritur në Shkodër dhe ka nisur aventurën e re në drejtimin e Vllaznisë, pas eksperiencave të fundit në futbollin rumun.

Tekniku hungarez ka një karrierë të gjatë ndërkombëtare, me eksperienca në Gjermani, Hungari, Skoci, Belgjikë, Lituani, Sllovaki, Rumani dhe Indi. Ndër skuadrat që ka drejtuar janë Ferencváros, Heart of Midlothian, Charleroi, MTK Budapest, Dunajská Streda, Dundee United, Sepsi OSK dhe Chennaiyin FC, ndërsa ka qenë edhe trajner i kombëtareve të Ugandës dhe Lituanisë.

Një nga sukseset më të rëndësishme të karrierës së tij erdhi në Skoci me Heart of Midlothian, me të cilin siguroi vendin e tretë në kampionat dhe kualifikimin në kompeticionet europiane. Për këtë arritje u vlerësua edhe si trajneri i vitit në Skoci.

Në Shkodër, László do të ketë në krah gjermanin Werner Bürger, i cili do të jetë trajner i dytë. Dy teknikët kanë bashkëpunuar më herët te Heart of Midlothian, MTK Budapest, Dunajská Streda dhe Dundee United.

Dyshja László-Bürger nis tashmë zyrtarisht punën në krye të Vllaznisë, me sfidën e ardhshme ndaj Dinamos që pritet të jetë një nga detyrat e para për stafin e ri teknik.

László zëvendëson Edi Martinin, i cili u largua nga drejtimi i Vllaznisë pas rezultateve të dobëta në fillim të sezonit. Nga stafi teknik u largua edhe ndihmësi i tij, Ergi Borshi.

Vllaznia në pesë sfidat e para ka grumbulluar vetëm dy pikë, duke u klasifikuar në vendin e fundit me 2 barazime dhe 3 humbje. Edhe golavarazhi nuk i buzëqesh shkodranëve me 5 gola të shënuar dhe 10 të pësuar.

/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›