Vlora hap sezonin turistik 2025, Dredha: Aktivitete edhe në muajt në vijim

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Nën ritmet e muzikës, këngëve dhe valleve, si edhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të disa prej artistëve më të njohur shqiptarë dhe grupeve të huaja artistike, qyteti bregdetar i Vlorës çeli dje zyrtarisht, sezonin turistik 2025.
Në skenën e ngritur në shëtitoren “Lungomare”, pranë “Ujit të Ftohtë” u mbajt një koncert madhështor, ku performoi këngëtari Ylli Limani, por edhe grupe artistësh nga e gjithë bota, qytetarë të shumtë, turistë të huaj, por edhe artdashës u bënë pjesë e aktivitetit festiv.
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, u shpreh se aktivitetet hapëse të sezonit turistik nisin me “Miss Summer World”, ku përpos koncertit madhështor i cili u mbajt të shtunën në mbrëmje, janë parashikuar edhe plot aktivitete të tjera përgjatë gjithë Lungomares.
“Miss Summer World”, mbajtur për herë të parë në Vlorë, një kompeticion ku sfiluan 40 vajza nga vende të ndryshme të botës dhe fituese u shpall bukuroshja nga Turqia.
50 vajza nga vende të ndryshme të botës, pjesëmarrëse në këtë kompeticion si dhe 10 personalitete të vendeve të ndryshme si pjesë e jurisë se “Miss Summer World 2025” kanë vizituar Muzeun e Pavarësisë në Vlorë në kuadër edhe të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve dhe hapjes së sezonit turistik. Gjatë vizitës vajzat konkurrente u njohën me historinë dhe kulturën e pasur të vendit tonë.
Në Vlorë, turizmi gjithëvjetor është karakteristikë kryesore e zhvillimit të këtij qyteti bregdetar, ku vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj shijojnë kulinarinë e qytetit bregdetar, por edhe peizazhet e mrekullueshme të Labërisë.
Edhe ditën e sotme, në Vlorë do të vazhdojnë aktivitetet artistike në kuadër të çeljes zyrtare të sezonit turistik për këtë vit, ndërsa pjesë e ofertës turistike janë edhe muzetë, kultura, kulinaria dhe tradita në të gjitha dimensionet e saj.
Koncerti i mbrëmjes së djeshme kulmoi me një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarresh, ndërsa surpriza të tjera i presin sot qytetarë vlonjatë dhe turistët e shumtë që ndodhen në këtë qytet bregdetar.
1 nga 23/a.f/