Vlorë, bashkia shpall vakancat për drejtues në 12 drejtori

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Bashkia e Vlorës ka shpallur sot 12 pozicione vakante pune, pas dorëheqjes së drejtorëve të drejtorive.
Lajmin e ka bërë të ditur, kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, i cili tha se bashkia e qytetit bregdetar ka shpallur vakancat për të gjithë ata që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për të kontribuar dhe për t’i shërbyer zhvillimit të qytetit, në të gjitha nivelet.
Sipas Dredhës, në faqen zyrtare të web-it do të gjenden procedurat që duhen ndjekur, vetëm për një pjesë të pozicioneve vakante.
“Duke qenë se jemi në proces të hartimit të dokumentacionit, për secilën prej drejtorive, në vijim do të informoheni për pjesën tjetër të pozicioneve të lira”, tha Dredha, ndërsa shtoi se të gjithë të interesuarit, të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, brenda afateve të përcaktuara, në çdo shpallje.
Pozicionet vakante janë si më poshtë:
- Drejtor në Drejtorinë e Projekteve të Huaja, Integrimit Europian dhe Diasporës
- Drejtor në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm
- Drejtor në Drejtorinë e Protokoll-Arkivës
- Kryeinspektor në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit
- Drejtor në Policinë Bashkiake
- Drejtor në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike
- Drejtor në Ndërmarrjen e Gjelbërimit
- Drejtor në Ndërmarrjen e Pastrimit
- Drejtor në Drejtorinë e Mbrojtjes Civile)
- Drejtor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve
- Drejtor në Shtëpinë e Foshnjes
- Drejtor në Teatrin “Petro Marko”
/e.i/j.p/