Vlorë, lirohen plazhet publike/ Sekuestrohen çadra e shezlongë të vëna në kundërshtim me ligjin

“Kemi përcaktuar edhe njëherë që toleranca për rastet kur cenohet, zaptohet, preket prona publike, do të jetë zero. Kush nuk do të luajë me shtetin dhe xhepin e vetë, është mirë mos ta vijojë këtë tentative”, tha ministri Gonxhja.
Pa kaluar 24 orë nga ky paralajmërim i ministrit të Turizmit, në terren në Vlorë ka zbritur Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e cila ka ndërmarrë një aksion të gjerë në të gjitha plazhet e qytetit për lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me rregullat.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar dhjetëra subjekte që kishin tejkaluar numrin e lejuar të çadrave dhe shezlongëve, sipas kontratave dhe lejeve përkatëse. Si rezultat, autoritetet kanë sekuestruar pajisjet e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe kanë liruar hapësirat publike në favor të pushuesve.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, aksioni nuk do të jetë i kufizuar vetëm në Vlorë, por do të vijojë edhe në ditët në vijim përgjatë gjithë vijës bregdetare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, me qëllim garantimin e respektimit të ligjit dhe aksesit të lirë të qytetarëve në plazhet publike gjatë sezonit turistik./abcnews.al