E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, program stërvitor i NATO-s, ankorohet në port anija ushtarake greke

VLORE - Prej dy ditësh, në kalatat e portit të Vlorës është ankoruar anija ushtarake greke “Ikaria”, e cila ka mbërritur për të marrë pjesë në një program stërvitjeje që organizohet nga Akademia Detare Greke, ajo Shqiptare në bashkëpunim me NATO-n.

Mjaft qytetarë kanë vizituar anijen ushtarake “Ikaria”, e cila ka qenë e hapur për civilët në orare të caktuara. Gjithashtu, pjesëtarë të ekuipazhit kanë zhvilluar takime me autoritete lokale, përfaqësues të institucioneve të qeverisjes vendore, të Distriktit Detar etj. Gjithashtu, pjesëtarë të ekuipazhit kanë vizituar edhe kalanë e Kaninës, ndërkohë që kanë shetitur në qytet.

Ankorimi i anijes ushtarake greke “Ikaria” është pjesë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, anëtare të NATO-s. Gjatë muajve të fundit, mjaft mjete lundruese të vendeve anëtare të kësaj organizate kanë qenë në ujërat detare dhe portet shqiptare, në kuadrin e aktiviteteve të përbashkëta.

Ditët e fundit, në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit, në hapësirën detare të gjirit të Vlorës, në Orikum dhe Karaburun, efektiva dhe mjete lundruese ushtarake të këtyre vendeve, ku përfshihet edhe Shqipëria, kanë marrë pjesë në një stërvitje ushtarake që është zhvilluar në det, tokë e ajër.

(er.nu/ata/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Vlorë, program stërvitor i NATO-s, ankorohet në port anija ushtarake greke

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›