Vodhi 1400 euro nga makina e një pushuesi, arrestohet 25-vjeçari nga Kosova në Himarë

Policia e Himarës ka vënë në pranga një 25-vjeçar nga Kosova, i dyshuar si autor i vjedhjes së 1400 eurove nga automjeti i një pushuesi në zonën turistike të “Porto Palermos”.
Sipas uniformave blu, ngjarja ka ndodhur më 26 korrik, ndërsa i riu, së bashku me një bashkëpunëtor ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë hapur makinën e pushuesit dhe kanë marrë shumën e parave.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar paratë dhe një automjet tip Volkswagen që dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e vjedhjes.
I riu me iniciale A. S., është arrestuar në flagrancë, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për “Vjedhje, kryer në bashkëpunim”. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit.