E Martë, 3 Nëntor 2026

Vodhi 7 herë nga vende të ndryshme, arrestohet 28-vjeçari në Tiranë (VIDEO)

Një 28 vjeçar është arrestuar nga uniformat blu në Tiranë, pasi dyshohet të jetë autori i 7 rasteve të vjedhjes.

I riu sipas njoftimit të Policisë, në muajit Janar, Shkurt dhe Prill të këtij viti, ka vjedhur në vende të ndryshme 3 telefona, 2 portofola, aksesorë të një makine, produkte nga një dyqan, si dhe i ka marrë nga qafa varësen e floririt një gruaje.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Last time”.

I shpallur në kërkim si autor i dyshuar i disa vjedhjeve, lokalizohet, kapet dhe ndalohet 28-vjeçari.

Dokumentohen 7 raste të vjedhjes, të kryera nga ky shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, si rezultat i hetimeve të kryera në bazë të kallëzimeve të bëra nga qytetarë të ndryshëm, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Last time”.

Në kuadër të operacionit, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim N. D., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve janar, shkurt dhe prill 2025, ka vjedhur në vende të ndryshme, 3 celularë, 2 portofola, aksesorë të një automjeti dhe produkte të ndryshme në një dyqan, si dhe i ka marrë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›