Vogëlushi nga Libofsha me Ramën në Fier: Doja të të njihja nga afër

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon me një vogëlush, me të cilin u takua gjatë aktivitetin me rastin e 35-vjetorit të PS në Fier.
Gjatë bashkëbisedimit të Kryeministrit Rama me djalin e quajtur Dion, ky i fundit tha se kishte ardhur nga Libofsha për ta takuar nga afër.
I pyetur nga Rama se përse kishte vendosur të ishte i pranishëm në aktivitet, Dioni u shpreh se dëshironte ta takonte dhe ta njihte nga afër.
“Kam ardhur sepse kisha qejf që të vija edhe të të njihja njëherë”, tha ai.
Gjatë bisedës, Rama e pyeti se si i dukej në jetën reale, ndërsa i mituri u përgjigj se i ngjante “si njeri shumë i mirë”.
Kur Kryeministri e pyeti nëse kishte pasur dyshime për këtë përshtypje nga mënyra se si e kishte parë në televizion apo në rrjetet sociale, Dioni tha se aty dukej më i egër.
“Nëpër rrjete ti ngjan si më i egër. Dukesh si tip i egër”, u shpreh Dioni.
Në fund, fëmija i tha Ramës se përshtypja e tij kishte ndryshuar pas takimit nga afër.
“Jo, ti s’je i egër fare, je i butë”, tha Dioni.
/e.i/j.p/