E Diel, 1 Nëntor 2026

Volejboll, seti më i gjatë në histori/ Rekord në miqësoren Itali-Gjermani, zgjati 1 orë e 29 minuta

Gjermania dhe Italia zhvilluan një set që do të hyjë në historinë e volejbollit botëror. Seti i parë në ndeshjen miqësore përgatitore për Kampionatin Evropian, e luajtur në Reggio Calabria zgjati 1 orë e 29 minuta. Një rekord i ri për kohëzgjatjen e një seti të vetëm në një sfidë të volejbollit profesionist.

Ai u mbyll me rezultatin spektakolar 66–64 në favor të Gjermanisë.

Kjo arritje theu rekordin e mëparshëm të vendosur gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kombeve të Volejbollit mes Argjentinës dhe Polonisë më 28 qershor 2026, e cila përfundoi 50–48 pas 62 minutash lojë.

Përtej këtij rekordi, sfida mes Italisë dhe Gjermanisë dhuroi spektakël dhe ishte e luftuar deri në pikën e fundit.

Fitoren e mori Italia 3-2 me sete, por rezultati i atij seti hapës tashmë ka hyrë në historinë e volejbollit.

Si Italia ashtu edhe Gjermania janë dy skuadrat favorite për të fituar edhe Kampionatin Europian për meshkuj, që do të nisë më 9 shtator dhe do të zhvillohet në Bullgari, Rumani, Finlandë dhe në Itali.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›