E Diel, 1 Nëntor 2026

Vora fiton 4-1 ndaj Bylisit, portieri Vachoux braktis fushën

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Vora ka marrë një fitore bindëse 4-1 ndaj Bylisit, në takimin e vlefshëm për javën e 18-të të Kategorisë Superiore.

Përballja u karakterizua nga një episod i diskutueshëm në fundin e pjesës së parë.

Në minutën e 42-të, kur vendasit kryesonin 2-0, portieri i Bylisit, Jeremy Vachoux, braktisi fushën e lojës pa asnjë kërkesë apo zëvendësim nga stafi teknik. Veprimi i tij u interpretua si një akt revolte, ndërsa arbitri e ndëshkoi me karton të verdhë.

Sa i përket kronikës së ndeshjes, Vora e nisi fuqishëm takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 10-të me golin e Ruzgis. Epërsia u dyfishua në minutën e 24-t nga Geci, duke i dhënë siguri skuadrës vendase përpara pushimit.

Në pjesën e dytë, Bylisi reagoi dhe ngushtoi diferencën me golin e Mustapha në minutën e 54-t, duke rihapur përkohësisht ndeshjen. Megjithatë, në minutat e fundit, Vora vulosi fitoren me dopietën e Kasallës në minutat 77 dhe 81, duke mbyllur sfidën me rezultatin përfundimtar 4-1.

Falë këtij suksesi, Vora ngjitet në kuotën e 19 pikëve dhe pozicionohet në vendin e shtatë të renditjes. Nga ana tjetër, Bylisi zbret në vendin e tetë me 18 pikë të grumbulluara pas 18 javësh kampionat.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›