E Martë, 3 Nëntor 2026

Vota e diasporës, Celibashi: Gati struktura, presim politikën të plotësojë boshllëqet ligjore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gati strukturën administrative që do të adresojë, menaxhojë dhe monitorojë të gjithë procesin e votimit nga jashtë. Këtë e bëri të ditur Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjatë raportimit në Nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin.

Celibashi tha se KQZ ka bërë fushata dhe aktivitete ndërgjegjësimi për rëndësinë e votës së diasporës, ndërsa shtoi se institucioni është në pritje të politikës dhe negociatave të tyre për të rëndë dakord për plotësimin e kuadrit ligjor që mundëson votën e emigrantëve.

“Që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dy kanë qenë aktet e veprimit të KQZ, e para ka të bëjë me ndërtimin e një struktura administrative brenda KQZ, e cila do të adresonte në momentin kur kuadri ligjor rregullator do të ishte gati, gjithë aspektin e votimit të diasporës. E dyta të nxiste për aq sa e kishte të lejuar dhe të sillte në vëmendje të faktorit politik, organizatave të shoqërisë civile nevojën që procesi i votimit nga jashtë të merrte  atë adresim që do të duhet të merrte nga institucionet përkatëse. KQZ e ka ndërtuar strukturën administrative brenda tij që ka përgjegjësi të dedikuar për të gjitha aspektet e procesit të votimi nga jashtë. E kemi të konsoliduar drejtorinë për votimin nga jashtë dhe e kemi të organizuar në mënyrë të tillë për t’iu përgjigjur të gjitha atyre elementëve teknikë të votimit nga jashtë, duke nisur nga regjistrimi, administrimi i votave dhe i nxjerrjes së rezultatit. Do të duhet të presim zhvillimet e fundit nëse procesi i negociatave mes palëve politike do të finalizohet me plotësimin e boshllëqeve ligjore, kështu do t’i hapet rruga veprimit të KQZ për ta përgatitur këtë proces. Sa i përket aspektit të dytë janë organizuar disa aktivitete nga KQZ për rritjen ndërgjegjësimit për adresimin kësaj çështje, nëse Kuvendi do kalojë këtë javë atë ç’ka mediatikisht përflitet për votën nga jashtë duhet ta besojmë se ka qenë pjesë e kësaj shtyse dhe gjithë çfarë KQZ ka bërë. Nëse ka një gjë të cilën ne e kemi prioritet është ndërgjegjësimi për të informuar të gjithë votuesit që banojnë jashtë Shqipërisë. Ajo çfarë kemi pasur mundësinë të bëjmë është ndërtimi i strukturës administrative dhe zhvillimi i aktivitete për këtë çështje. Të paktën të mundësojmë votimin e atyre qytetarëve që kanë interes të votojnë, jo të gjithë votuesit nga jashtë do kenë interesin për të marrë pjesë në votime. Sa i përket identifikimit do presim çfarë do vendos Kuvendi”, tha Celibashi.

Lidhur me kontestimet që mund të ketë politika për votën e emigrantëve, Celibashi tha se procesi do jetë transparent dhe çdo vendim lidhur me votimin nga jashtë do merret në bashkëpunim me faktorin politik dhe shoqërinë civile.

“Ne ofrojmë të gjitha garancitë sa i përket sigurisë së procesit të votimit, numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit zgjedhor dhe do ndërtojmë dhe mekanizma monitorues ku partitë politikë të gjitha meraqet e tyre që kanë t’i adresojnë duke patur syrin dhe veshin në këtë proces dhe duke qenë se i gjithë procesi do jetë transparent mendoje se palët nuk do ketë shkaqet të kontestojnë votimin nga jashtë. Koha është e pakët në dispozicion, por jemi përgatit duke krijuar strukturën që do i përgjigjet sa më mirë të gjitha sfidave teknike të këtij procesi. Çdo gjë do konsultohet me faktorin politik dhe shoqërinë civile para se të vendoset diçka”, tha Celibashi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›