Vrasja e Gentian Bejtjas! Gjykata jep masat e sigurisë për bashkëpunëtorët e Plakut: Tre në burg, një me detyrim paraqitje

Gjykata e Vlorës ka dhënë sot masat e sigurisë për katër personat e arrestuar pak ditë më parë në Orikum, gjatë operacionit që çoi edhe në ndalimin e Flodian Plakut, 42 vjeç, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Gentian Bejtjas.
Pas një seance që zgjati më shumë se dy orë, gjykata vendosi të lërë në burg tre prej të ndaluarve, ndërsa për një tjetër caktoi masën më të lehtë “detyrim paraqitje”.
Konkretisht, masa “arrest me burg” është dhënë për:
Albano Lapshi, i cili dyshohet se i çonte ushqim Plakut gjatë kohës që ai fshihej;
Ligor Doko, pronari i hotelit ku u arrestua Plaku;
Julian Aliaj, që u kap me armë zjarri me vete dhe ka precedentë penalë për trafik droge.
Ndërkohë, për Armando Danon, berber me origjinë nga Shkodra, gjykata vendosi “detyrim paraqitje”, duke e konsideruar rolin e tij në këtë çështje më të kufizuar.
Seanca nisi rreth orës 09:30 dhe përfundoi pak para mesditës, gjatë së cilës pala mbrojtëse kërkoi masa më të lehta sigurie për të ndaluarit. Megjithatë, gjykata vendosi të lërë në fuqi kërkesat e prokurorisë për tre prej tyre, ndërsa aplikoi masë më të butë vetëm për Danon.
Hetimet në lidhje me ngjarjen dhe lidhjet e të arrestuarve me Flodian Plakun vijojnë.
/vizionplus.tv