E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e dy të rinjve për një kafe në Durrës, policia zbardh ngjarjen. Arrestohen 4 persona, në kërkim autori dhe bashkëpunëtori i tij

Zbardhet dinamika e ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Manëz të Durrësit, ku humbën jetën 2 persona.

Gjithçka nisi pas konfliktit verbal për një kafe, por kaq ka mjaftuar që disa presona të përfshihen në konflikt deri në përdorimin e armës duke u marrë jetën dy të rinjve Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në lokalin e një karburanti në Manëz rreth orës 01:45 të mëngjesit të 22 tetorit.

Policia ka arrestuar 4 persona për moskallëzim krimi, ndërsa autori dhe bashkëpunëtori i tij janë shpallur në kërkim.  

Si ndodhi ngjarja

Sipas hetimeve, autori i njërës prej vrasjeve Danile P. ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta lidhur me kërkesën e tij për kafe, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi, i cili shoqërohej në lokal, nga disa persona, ndër ta, i arrestuari E. C.. Pas konfliktit verbal, Daniel P. është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi A. K.. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë.

Në këtë moment Daniel P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të Flori Paluçit, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel P. dhe Aranit Kurtit, i cili dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë Florin. Si pasojë mbetën të vrarë Aranit Kurti dhe Flori Paluçi.

Pas vrasjes Daniel P. është larguar nga vendi i ngjarjes me shtetasin G. A., i cili është shpaluar në kërkim.

Në kërkim autori dhe bashkëpunëtori i tij

Për ngjarjen u arrestuan për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” shtetasit: E. C., 25 vjeç; E. K., 21 vjeç; si dhe vëllezërit T. B., 37 vjeç; E. B., 34 vjeç të gjithë banues në Manzë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim autori Daniel P., 21 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

Në kërkim është edhe bashkëpunëtori G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Dëshmia e kamarierit të përfshirë në konflikt

Përpara grupi hetimor, kamerieri ka deklaruar se në momentin e ngjarjes kanë qenë prezentë 5 persona. Autori i ngjarjes, Daniel P., ka hyrë i pari në lokal i shoqëruar nga shoku i tij dhe kanë kërkuar kafe, por kamerieri iu ka komunikuar se ekspresi ishte i dikur dhe se ishte e pamundur që t’u servirte kafen.

Kamarieri dëshmon se nuk ka vijuar më diskutimin me autorin, por ka qenë Flori Paluçi i cili ka ndërhyrë për t’i dalë në mbrojtje kamerierit. Ky i fundit thekson se pas këtij momenti ka nisur konflikti fizik mes autorit dhe Flori Paluçit jashtë ambienteve të lokalit, aty ku dhe ndodhi tragjedia.

Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit të dyshuar D. P. dhe bashkëpunëtorit të tij G. A., ndërkohë që nën drejtimin e Prokurorisë po punohet për sigurimin e provave të reja dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›