Vrau gjithë anëtarët e familjes, nuk pendohet 27-vjeçari: Duhet ta kisha bërë më parë, i urreja

Një ngjarje makabre ka tronditur thellë Uruguain, ku një 27-vjeçar akuzohet për vrasjen e trefishtë të nënës, babait dhe vëllait të tij. Sipas raportimeve të El País dhe provave të paraqitura në gjykatë, autori dyshohet t’i ketë vrarë familjarët me mjete të forta, përfshirë një çekiç me dorezë druri, një sharrë elektrike dhe një thikë.
Trupat u gjetën pasi i ati, 62 vjeç, një punëtor ndërtimi që rrallë mungonte në punë, nuk u paraqit në detyrë. Kolegët, të shqetësuar, shkuan në shtëpinë e tij ku hasën të birin duke dhënë deklarata të paqarta. Ai i çoi policët drejt vendngjarjes, të cilën oficerët e përshkruan si “të ngjashme me atë të Dantes”.
Sipas hetimit gjyqësor, prindërit janë vrarë 3 deri në 5 ditë para autopsisë, ndërsa vëllai i autorit kishte ndërruar jetë rreth 48 orë para se të gjendej trupi.
Hetuesit besojnë se 27-vjeçari ka vrarë fillimisht nënën, më pas babanë dhe në fund vëllanë.
Në vlerësimin psikiatrik, i riu dha dëshmi kontradiktore, duke përmendur: “burra me të zeza” ose “me kapele të zeza” që, sipas tij, sulmonin familjen, zëra që i thoshin të vriste, zhurma imagjinare dhe vizione të shifrës “666”, ndjesinë se po ndiqej nga entitete keqdashëse.
Ai pranoi gjithashtu se kishte ushqyer urrejtje ndaj familjes, megjithëse deklaroi se ndjente edhe “dhembshuri”. Në momente të ndryshme u shpreh se donte të bënte një “film horror”, ndërsa më vonë pranoi se i vrau sepse “i urrente”, duke shtuar për policinë se “duhet ta kisha bërë më herët”.
Sipas ekspertit, 27-vjeçari vuan nga një sëmundje e rëndë mendore që e bën të paaftë për të marrë përgjegjësi penale, pasi nuk ishte në gjendje t’i kontrollonte impulset apo të gjykonte realitetin.
Prokurorja e çështjes, ka kërkuar që i dyshuari të shtrohet në një institucion psikiatrik nën vëzhgim të vazhdueshëm, ndërsa hetimet për vrasjen e trefishtë vijojnë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe indinjatë në komunitetin lokal, duke ngritur sërish pyetje mbi mbështetjen psikiatrike dhe parandalimin e rasteve të tilla tragjike./vizionplus.tv