E Martë, 3 Nëntor 2026

Vrau ish-gruan me thikë, shtyhet gjyqi ndaj ndërtuesit shqiptar/ Viktima kishte bërë tre denoncime

Një ngjarje e rëndë ndodhi më 16 maj 2024 në zonën e Akarnes, në Atikë të Greqisë. Sipas Prokurorisë, autori – një 51-vjeçar, Eduart Danaj u drejtua në banesën e ish-bashkëshortes së tij 40-vjeçare, Enkelejda Danaj në Menidi, duke fshehur një thikë nën rrobat e tij. 

Rreth orës 6 të mëngjesit, në momentin kur gruaja po dilte nga shtëpia për të shkuar në punë, ai e sulmoi dhe e goditi me thikë më shumë se 14 herë. Viktima humbi jetën në vend si pasojë e plagëve të shumta. 

Sipas raportimeve të gazetës Protothema, ekspertët mjeko-ligjorë konstatuan dëmtime të rënda nga arma e ftohtë në pjesë të ndryshme të trupit. 

Sot nisi gjyqi ndaj të pandehurit para Gjykatës së Përzier me Juri, ku vajza e viktimës – njëherazi edhe vajza e autorit të dyshuar – u paraqit në mbështetje të akuzës. 

Megjithatë, seanca u shty për shkak të mungesës së 51-vjeçarit në sallë. Siç u bë e ditur, ai nuk u transferua nga burgjet e Larisës në Gjykatën e ish-shkollës Evelpidon për mungesë të një urdhri të nevojshëm nga prokuroria përkatëse. 

Autoritetet gjyqësore po përpiqen të shmangin tejzgjatjen e procesit, për të mos rrezikuar skadimin e afatit 18-mujor të paraburgimit. 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›