E Martë, 3 Nëntor 2026

Vrau policin, Fieri në ‘karantinë’, RENEA dhe FNSH operacion masiv për kapjen e Azgan Mërnicës

Një operacion i madh policor po zhvillohet pothuajse në të gjithë Fierin, ndërkohë që janë bllokuar edhe thuajse të gjitha akset rrugore që lidhin Fierin me Vlorën, Lushnjën, Beratin etj., me qëllim kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së policit Novruz Cenalia nga shtetasi, Azgan Mërnica.

Policia po ushtron kontrolle në një seri banesash të braktisura, automjetesh që lëvizin në akset kombëtare dhe ato lokale me qëllim kapjen e autorit. Paralelisht policia ka vënë edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh për çdo qytetarë i cili jep informacione të sakta që çojnë në arrestimin e Mernicës.  

Policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mërnica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.

Shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.

Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli.

“Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.”, njoftoi policia.

Ndërkohë Lorenc Panganika, drejtor i Policisë së Fierit, i ka bërë thirrje Azgan Mërnicës, autori i dyshuar I vrasjes së efektivit, Novruz Cenalia që të dorëzohet, pasi përndryshe reagimi i policisë do të jetë i ashpër.

Drejtori i Policisë hodhi poshtë pistën e hakmarrjes dhe theksoi se vrasja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit.

“Shërbente në policinë e Fierit prej 4 vitesh, prej 1 viti në FNSH. Autori është Azgan Mërnica banues në Sulaj, po punojmë të kapim autori. I bëjmë thirrje autorit të vetë dorëzohet pasi veprimi i policisë do të jetë i aspër. Pista kryesore është për motive të çastit. S’ka lidhje me probleme hasmërie. Makina e autorit është gjetur. Ka qenë një konflikt i çastit.”, tha Panganika për mediat.

Policia ka shpallur në kërkim Azgan Mërnicën si autor i dyshuar i vrasjes së efektivit të FNSH-së mesditën e të hënës në Fier.

/rtsh.al/

 

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›