E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vuçiç takohet me Putinin në Pekin: Bashkëpunimi me Rusinë është shumë i rëndësishëm për Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, se për Beogradin është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi në nivelin më të lartë me Moskën në të gjitha fushat.

Teksa për më shumë se tre vjet refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, Vuçiç theksoi veçanërisht bashkëpunimin e Beogradit me Moskën në fushën e energjisë dhe furnizimin me gaz rus.

“Shpresoj se do të kemi mundësinë jo vetëm ta ruajmë, por edhe të përmirësojmë disa aspekte të bashkëpunimit. Energjia është për ne një fushë shumë e rëndësishme dhe furnizimi me gaz është shumë i rëndësishëm për ne”, tha Vuçiç gjatë takimit me Putinin në Pekin të Kinës, sipas TASS.

“Më kujtohet takimi ynë i mëparshëm në Moskë dhe jam i lumtur që takohem me ju në kuadër të ngjarjeve të sotme dhe të nesërme që përkujtojnë 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore“, shtoi Putin.

Të dy udhëheqësit u ftuan nga presidenti kinez, Xi Jinping, i cili po organizon në Pekin një paradë ushtarake për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në paradën më 3 shtator, pritet që pranë Xisë të qëndrojnë Putin, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe më shumë se 24 krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë ata nga Bjellorusia, Irani dhe vende të tjera.

Gjatë takimit me Putinin, Vuçiç deklaroi se falë naftësjellësit që do të ndërtojë së bashku me Hungarinë, Serbia do të mund të përmirësojë bashkëpunimin me Rusinë në fushën e energjisë.

“Serbia do të ishte e lumtur të mirëpriste të gjitha kompanitë ruse, përfshirë RZD-në, dhe do të doja që Rosatom dhe korporata të tjera ruse gjithashtu të vinin këtu”, tha Vuçiç. Ai e përshkroi energjinë si një “sferë jetësore” për Beogradin. “Furnizimet me gaz natyror janë shumë të rëndësishme për ne. Falë ndërtimit të degës së tubacionit drejt Hungarisë, ne kemi bërë shumë për zhvillimin e sistemit energjetik“, vuri në dukje Vuçiç.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›