E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vulin tenton të ikë në Moskë - aeroplani kthehet në Beograd nga Lituania

Aeroplani që duhej të ulej sonte në Moskë kthehet në Beograd, dyshohet se në të ndodheshin Vulin, Bajatoviq dhe Popoviq

Aeroplani që sonte ishte nisur nga aeroporti “Nikola Tesla” në Beograd drejt Moskës është kthyer në kryeqytetin serb.


Sipas informacioneve jozyrtare të portalit Nova.rs, në të dyshohet se ndodheshin kryetari i Lëvizjes së Socialistëve, Aleksandar Vulin, drejtori i kompanisë shtetërore “Srbijagas”, Dushan Bajatoviq, dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe (SNP), Nenad Popoviq.

Sipas të dhënave të platformës FlightRadar24, aeroplani është kthyer dhe është ulur në Beograd pak para orës 22:00.

Bëhet fjalë për një aeroplan të tipit Airbus A320, me numër fluturimi JU134, i cili ishte nisur nga aeroporti i Beogradit në orën 18:25.

Në orën 18:48, ai arriti në jug të Lituanisë, ku, sipas të dhënave të platformave për përcjelljen e fluturimeve, ndryshoi drejtimin dhe u nis për t'u kthyer në Beograd.

Sipas informacioneve të Nova.rs, aeroplani kishte arritur deri në jug të Lituanisë, kur ishte dhënë urdhri për kthimin e tij në Beograd, me arsyetimin se bëhej fjalë për çështje sigurie.

Burime të këtij mediumi pretendojnë se urdhrin e kishte dhënë drejtori i sigurisë korporative të aeroportit. Në aeroplan, sipas të njëjtave burime, ndodheshin tre zyrtarët serbë.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike, Srgjan Milivojeviq, kishte shkruar në rrjetin social X: “Kush është ai që sonte po ikën drejt Moskës me fluturimin e orës 18:30?”.

Vreme pretendon se në aeroportin e Beogradit Vulin po pritet nga një prokuror.

Kush është Vulin?

Aleksandar Vulin është një nga politikanët më të afërt me Moskën në skenën politike serbe dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Gjatë karrierës së tij ka drejtuar disa institucione të rëndësishme, duke shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe i Punëve të Brendshme, ndërsa nga dhjetori i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023 ishte në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Më 11 korrik 2023, Shtetet e Bashkuara e vendosën Vulin në listën e sanksioneve, duke e akuzuar për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe përfshirje në veprimtari të paligjshme të lidhura me narkotikët. Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, ai kishte ndihmuar trafikantin e sanksionuar të armëve, Slobodan Teshiq, si dhe kishte shfrytëzuar pozitat shtetërore për përfitime personale.

Emri i tij është përmendur edhe në skandalin e njohur si “tezja nga Kanadaja”, lidhur me pretendimin se tezja e bashkëshortes i kishte huazuar 205 mijë euro për blerjen e një banese. Agjencia kundër korrupsionit nuk e kishte pranuar këtë shpjegim, ndërsa prokuroria e kishte mbyllur çështjen për mungesë të provave për vepër penale.

Përveç akuzave për korrupsion, autoritetet amerikane e kanë cilësuar Vulin si një figurë që i ka mundësuar Rusisë të zgjerojë ndikimin dhe veprimtarinë e saj destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Edhe opozitari rus Vlladimir Kara-Murza e ka akuzuar atë se në vitin 2021 ia kishte dorëzuar Nikolai Patrushevit transkriptet e përgjimeve të opozitarëve rusë në Beograd.

Patrushev, ish-drejtor i shërbimit sekret rus FSB dhe një prej bashkëpunëtorëve më me ndikim të Vladimir Putinit në çështjet e sigurisë, është përmendur në këtë rast. Vulin, ndërkaq, është një nga përkrahësit kryesorë të konceptit “srpski svet” (bota serbe), i cili synon afrimin dhe bashkimin e serbëve që jetojnë përtej kufijve të Serbisë. /Telegrafi/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›