E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Xhaçka” shkon në Kushtetuese, PS pranon që çështja e mandatit të deputetes të shqyrtohet nga gjykata

Socialistët kanë vendosur të dërgojnë në gjykatën kushtetuese çështjen e mandatit të ish-ministres së jashtme Olta Xhaçka. Në një lëvizje të papritur, deputetët socialistë në këshillin e legjislacionit deklaruan se vendimi i gjykatës duhet zbatuar e parlamenti në mbledhjen më të afërt duhet të votojë pro dërgimit në kushtetuese të mandatit të koleges së tyre Xhaçka

“Ashtu siç edhe ju e thatë, nisur nga arsyetimi dhe duke qenë se në vendimin e vet gjykata kushtetuese e ka urdhëruar kuvendin, dmth seancën plenare se është ajo që vendos të dërgojë mocionin përkatës në gjykatën kushtetuese, ky këshill duhet ti propozojë kryetares së kuvendit ta përfshijë këtë projekt vendim në rendin e ditës në seancën më të afërt”, u shpreh deputetja socialiste, Klotilda Bushka.

Lëvizja e mazhorancës u mirëprit nga opozita e cila i kujtoi se për dy vite me radhë socialistët kanë penguar dërgimin në gjykatës të çështjes Xhaçka

“Mua më bëhet shumë qejfi që ju keni ndryshuar qëndrim sot, se qëndrimi i mëparshëm i grupit tuaj parlamentar ishte që gjykata kushtetuese të thotë çfarë të dojë, ne do të bëjmë çfarë të duam”, tha Gazment Bardhi.

Në vitin 2022 dy grupimet e Partisë Demokratike; asokohe të drejtuar nga Alibeaj dhe Sali Berisha i kërkuan parlamentin që të dërgojë në gjykatën kushtetuese deputeten socialiste Olta Xhaçka. Sipas opozitës bashkëshorti i ish-ministres së jashtme Xhaçka në momentin që ka përfituar statusin e investitorit strategjik ka përfituar nga pasuria publike; një përfitim i ndaluar për deputetet nga kushtetuta.

Në këtë logjikë opozita kërkoi që ti hiqet mandati i deputetes socialistes Olta Xhaçka. Por mazhoranca arsyetoi se ish-ministrja Xhaçka nuk ka përfituar as para publike e as pasuri publike duke refuzuar të dërgojë këtë çështje në gjykatë. Dy herë opozita vuri në lëvizje gjykatën dhe dy herë kushtetuesja shpalli se parlamenti në çdo rast duhet të votojë pro dërgimit në gjykatë të çështjes së mandatit të një deputeti, pasi vetëm gjykata është organi që shqyrton nëse është shkelur apo jo kushtetuta.

Pas vendimit të dytë të gjykatës kryetari i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi hodhi propozimin që të kërkohej opinion i komisionit të Venecias për situatën e krijuar mes parlamentit dhe gjykatës kushtetuese.

Ndërkohë që demokratët kërkuan mbledhjen e parlamentit në sesion të jashtëzakonshëm vetëm për çështjen e mandatit të socialistes Olta Xhaçka.

Këtë të Martë e gjithë Odisea dy vjeçare parlament-gjykate kushtetuese duket se mori fund. Në seancën e 12 shtatorit parlamenti do të votojë dërgimin në gjykatë të kësaj çështje.

Dhe më pas i takon gjykatës kushtetuese të thotë nëse Olta Xhaçka e ka shkelur apo jo kushtetutën. /vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›