Xhafaj: KLP hallka më e dobët e drejtësisë, mos bëni qoka me vakancat

Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, u përball sot me kritika gjatë raportimit për vlerësimin e veprimtarisë së KLP-së për vitin 2025, nga kryetari i komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj.
Xhafaj vlerësoi se KLP ka shënuar disa përmirësime në punën e vet, por theksoi se institucioni mbetet ndër hallkat më problematike të sistemit të drejtësisë, duke mos përmbushur ende pritshmëritë e reformës në drejtësi dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
“Në vlerësimin tim, në punën e KLP ka disa hapa pozitivë, por KLP mbetet një nga sistemet më të dobëta të drejtësisë në Shqipëri. Shumë çështje që lidhen me sistemin e prokurorisë gjenerojnë nga vendimmarrje të diskutueshme të KLP. Në krahasim me vitet e tjera ka përmirësim, por krahasuar me çfarë i ka dhënë ligji, krahasuar me pritshmëritë e BE, ka shumë për të bërë”, tha Xhafaj.
Xhafaj u ndal tek vakancat në prokurori dhe numri i kandidatëve të kërkuar nga Shkolla e Magjistraturës. Sipas Xhafajt, sistemi vijon të ketë mbi 100 vende të lira, ndërsa KLP vitin e kaluar kishte kërkuar vetëm 12 kandidatë të rinj.
“Keni qenë të paaftë të bëni llogari të kësaj natyre apo ka një lloj papërgjegjshmërie? Vitin e kaluar i keni kërkuar Shkollës së Magjistraturës vetëm 12 prokurorë. Ndërkohë që keni mbi 100 vakanca, keni disa vakanca të fshehura. Nuk kërkoni shtim të prokurorëve përmes Shkollës së Magjistraturës, as shtim të numrit të përgjithshëm. Si do ta zgjidhim?”, u shpreh Xhafaj.
Nga ana e saj, Bogdani sqaroi se numri i kufizuar i kërkuar ishte përcaktuar duke marrë në konsideratë cilësinë dhe numrin e kandidatëve të disponueshëm.
“Arsyeja që u parashtrua ishte cilësia e numrit të kandidatëve”, tha Bogdani.
Xhafaj foli edhe për mënyrën e rekrutimit të stafit mbështetës dhe trajnimet në institucionet e drejtësisë. Ai ngriti dyshime për mënyrën e punësimeve, duke kërkuar transparencë më të madhe në proces.
“Keni nevojë për shtesa? Jo për të bërë qokë, për të marrë shokët e miqtë, burrat, gratë, fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve? Ju dhe disa institucione të tjera, e keni bërë si vend ku bashkohen fëmijët e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, deklaroi ai.
Bogdani iu përgjigj duke sqaruar se trajnimet nuk organizohen nga KLP-ja si privilegje individuale, por mbulohen nga struktura publike dhe partnerë të jashtëm.