Xhixho nga QSUT: Të sëmurët po përballen me kushte çnjerëzore pritjeje

Deputetja e PL, Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin për kushtet në qendrën e konsultave në QSUT, duke denoncuar pritjet e gjata dhe mungesën e kushteve bazë për pacientët.
“Sot jam në qendrën e konsultave në QSUT dhe siç e shihni kushtet janë të papërshtatshme. Si mundet një qytetar i sëmurë të presë me orë të tëra në këto kushte, në stola, pa ujë dhe imagjinoni është verë, temperaturat po rriten”, deklaroi Xhixho.
Ajo theksoi se pacientët, veçanërisht të moshuarit dhe personat që përballen me ankthin e sëmundjes, detyrohen të presin në ambiente të papërshtatshme, ndërsa krahasoi situatën me kushtet moderne që ofrohen në aeroporte dhe porte.
Sipas saj, edhe mjekët punojnë nën presion dhe në kushte të vështira, çka ndikon drejtpërdrejt në shërbimin ndaj qytetarëve.
“Sot janë këta qytetarë, por nesër mund të trokase tek secili nga ne. Kjo situatë kërkon një përgjigje të menjëhershme dhe zgjidhje konkrete për kushtet me të cilat përballen pacientët çdo ditë në qendrën e konsultave këtu në QSUT”, u shpreh deputetja e PL.
Xhixho shtoi se çdo vonesë në ndërhyrje sjell më shumë vuajtje për pacientët dhe rëndim të gjendjes së tyre shëndetësore.