Yılmaz: Shqipëria është partner strategjik. Bizneset turke të investojnë në projekte konkrete

Gjatë Forumit të Investimeve Shqipëri–Turqi, që u hap sot në Tiranë, Zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz, shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe foli për mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomik në fusha të ndryshme.
“Edhe pse nuk ndajmë kufi tokësor, Shqipërinë e konsiderojmë si një fqinj të zemrës sonë. Marrëdhëniet tona historike shkojnë përtej 6 shekujve dhe janë të mbështetura në miqësi, bashkëpunim dhe interesa të përbashkëta”, deklaroi ai.
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz, theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të re, pas vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Ankara dhe nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët Politike.
Ai u shpreh se kjo deklaratë ka shërbyer si bazë për ngritjen e marrëdhënieve në nivelin e partneritetit strategjik, duke reflektuar vullnetin e dy qeverive për të thelluar bashkëpunimin në fusha kyçe.
Yılmaz bëri të ditur se vetëm në tetë muajt e fundit janë nënshkruar 10 marrëveshje të reja bashkëpunimi, të cilat kanë dhënë një impuls të fortë zhvillimit të këtij partneriteti.
Duke folur për ekonominë e vendit të tij, ai vuri në dukje qëndrueshmërinë e saj dhe përmendi të dhënat e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilave Turqia renditet si ekonomia e 16-të më e madhe në botë dhe e katërta në Europë, bazuar në fuqinë blerëse. Këto tregues, sipas Yılmaz, e bëjnë Turqinë një partner të besueshëm dhe të fuqishëm për bashkëpunim ekonomik.
Yılmaz informoi se në vitin 2025, eksportet turke pritet të arrijnë në 273,7 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat nga turizmi dhe shërbimet në 64 miliardë dollarë, duke ulur deficitin e llogarisë korrente në vetëm 1,4%.
Ai nënvizoi se tregtia mes Shqipërisë dhe Turqisë ka arritur në mbi 1 miliard dollarë, dhe synimi është që të dyfishohet në 2 miliardë dollarë në një afat të shkurtër. Sipas tij, shkëmbimet tregtare përfshijnë jo vetëm mallrat, por edhe shërbimet, të cilat kanë arritur një vlerë prej 117 milionë dollarësh.
Yılmaz theksoi se Turqia është një nga investitorët më të rëndësishëm në Shqipëri dhe se kompanitë turke janë aktive në fusha si ndërtimi, shëndetësia, minierat, energjia, plastika, telekomunikacioni, teknologjia e informacionit dhe industria e mbrojtjes.
Ai përmendi ndërtimin e spitalit në Fier si një shembull konkret i bashkëpunimit strategjik në sektorin e shëndetësisë dhe nënvizoi rëndësinë e tërheqjes së investimeve turke në fusha të tjera si bujqësia, teknologjia dhe turizmi.
“Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në turizëm. Vitin e kaluar janë pritur mbi 11 milionë vizitorë të huaj. Pjesëmarrja e kompanive turke në këtë sektor do të sillte vlera të shtuara”, tha Yılmaz.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ka potencial të madh për zhvillimin e bujqësisë, veçanërisht në zonat bregdetare, ku kompanitë turke me eksperiencë nga rajone si Antalya mund të sjellin kontribut të çmuar në rritjen e produktivitetit.
Në përmbyllje, Zëvendëspresidenti i Turqisë ftoi investitorët turq që të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Shqipëria dhe të investojnë në projekte konkrete në fusha strategjike, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik të vendit dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
/rtsh.al/