“Youth Tech Center”, një hapësirë e re dedikuar të rinjve në Lushnjë

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Qytetit të Lushnjës i është shtuar një hapësirë e re, e dedikuar për të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë dhe inovacionit.
Qendra quhet “Youth Tech” dhe është e vendosur pranë muzeut të qytetit, ndërsa tashmë ka marrë edhe interesin e shumë të rinjve dhe të rejave.
Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale disa momente nga angazhimi i të rinjve në këtë qendër, ndërsa e etiketoi “Youth Tech” si një hapësirë të re dedikuar të rinjve.
Rama tha se, “Youth Tech Center” është investim i përbashkët i Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe bashkisë së Lushnjës.
Kjo qendër shënon një hap të rëndësishëm për fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimin e ideve novatore në komunitet.
Hapësira e re shërben si një pikë takimi për kreativitetin, teknologjinë dhe bashkëpunimin, duke u dhënë të rinjve mundësinë të eksplorojnë potencialin e tyre dhe të kontribuojnë në të ardhmen digjitale.
Ky investim synon të afrojë më shumë të rinjtë me teknologjinë dhe inovacionin, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillim dhe përfshirje aktive në jetën sociale dhe ekonomike të qytetit.
/e.i/r.e/a.f/