ZVICËR – Guy Parmelin zgjidhet president

GJENEVË, 10 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministri zviceran i Ekonomisë, Guy Parmelin është zgjedhur president i Konfederatës Zvicerane për vitin 2026, duke siguruar 203 vota nga 228, rezultati më i lartë i regjistruar që nga fillimi i shekullit aktual.
Në një seancë të mbajtur sot në Bernë, parlamenti zviceran zgjodhi Parmelin për të pasuar presidenten aktuale Karin Keller-Sutter.
Parmelin është këshilltari federal zviceran aktual dhe kreu i Departamentit të Çështjeve Ekonomike, Arsimit dhe Kërkimit.
Ai është anëtar i Partisë Popullore Zvicerane (SVP), partisë së krahut të djathtë, dhe ky mandat shënon mandatin e tij të dytë si kryetar shteti, pasi shërbeu për herë të parë si president në vitin 2021, dhe më parë ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes.
Parmelin luajti një rol kyç këtë vit në arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas së cilës Uashingtoni uli tarifat doganore për disa produkte zvicerane.
Menjëherë pas marrjes së detyrës, Parmelin do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në resortin alpin zviceran të Davosit, ku pritet të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Administrata Trump vendosi fillimisht një tarifë prej 39% ndaj importeve nga Zvicra, por në nëntor ra dakord ta ulte këtë tarifë në 15%, ekuivalente me normën e vendosur ndaj Bashkimit Evropian.
Parmelin përballet me marrëdhënie të vështira me BE-në. Ai do të duhet të mbikëqyrë një marrëveshje të negociuar me mundim për lidhje më të ngushta me bllokun prej 27 anëtarësh – që rrethon tërësisht Zvicrën, edhe pse SVP e ka refuzuar atë.
Sipas sistemit të Zvicrës të bazuar në konsensus, Parmelin kërkohet të lërë mënjanë interesat e partisë dhe të mbështesë vendimet kolektive të qeverisë, të cilat mbështesin lidhjet e ngushta me BE-në. //a.i/