ZVICËR – Trump: Shpresoj të takohem me Zelensky në Davos

DAVOS, 21 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se planifikon të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Davos, ndërsa udhëheqësit u mblodhën sot në resortin zviceran për Forumin Ekonomik Botëror.
Trump tha se mendonte që udhëheqësi ukrainas donte të bënte një marrëveshje për të ndaluar luftën me Rusinë.
“Unë besoj se do të bisedoj me presidentin Zelensky dhe mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Do ta takoj sot. Ai mund të jetë në audiencë tani, por ata duhet ta ndalojnë atë luftë”, tha Trump.
Por faqja e internetit e lajmeve ukrainase “Pravda” tha se një takim midis të dy liderëve në Davos ishte i mundur, megjithëse jo të mërkurën.
Zelensky tha dje se kishte shumë për të bërë në vendin e tij mes sulmeve ajrore të vazhdueshme të Rusisë, dhe se do të udhëtonte në Zvicër vetëm nëse një dokument ishte gati për t’u nënshkruar ose premtime të mëtejshme për ndihmë, siç është dorëzimi i armëve kundërajrore.
Para fjalimit të Trump, presidenti ukrainas, Zelensky postoi në “Telegram” fotografi të një takimi qeveritar në Kiev – në lidhje me furnizimin me energji elektrike.
Bombardimet e Rusisë kanë lënë shume banorë në shumë qytete pa ngrohje ose energji elektrike mes temperaturave të ulëta të dimrit.
Trump dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, të nisur në vitin 2022 nga Kremlini.
Deri më tani, negociatorët e tij kanë folur kryesisht me palën ukrainase. Aleatët evropianë të Ukrainës kanë qenë të përfshirë në disa raunde bisedimesh.
Udhëheqja ruse nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt, por është e përfshirë nëpërmjet lidhjes së saj me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner. //a.i/