E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet skema e mashtrimit online me “call center” të qytetarëve të BE-së, përfituan 50 mln euro. Burg për të arrestuarit

Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në fuqi masat e sigurisë për personat e arrestuar lidhur dosjen e call center-ave, ndërsa për disa të tjerë vendimet pritet të merren ditën e nesërme.

Në kuadër të këtij operacioni, është caktuar masa “arrest në burg” për shtetasit Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra dhe Xhoel Mekolli. Ndërkohë, për shtetasen Aida Vogli është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë vendit” dhe “detyrim paraqitjeje”. Për 5 persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje, gjykata pritet të shprehet në seancën e radhës.

Avokatët mbrojtës kanë kërkuar masa më të buta sigurie për klientët e tyre.

Operacioni policor u zhvillua mbrëmjen e së hënës, ku u goditën tre call center-a që dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm. Dy prej tyre ndodheshin pranë zonës së Kopshtit Zoologjik në Tiranë, ndërsa një tjetër në Rrugën e Kavajës.

Hetimet kanë zbuluar se këto call center-a dyshohet se mashtronin shtetas të huaj, kryesisht qytetarë evropianë, duke u marrë atyre shuma të mëdha parash përmes skemave të sofistikuara online. Ndaj të gjithë personave të përfshirë përfshirë administratorë, punonjës IT, financierë dhe staf mbështetës rëndon akuza për veprën penale “mashtrim kompjuterik”.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar mbi 900 mijë euro cash, si dhe një sasi e konsiderueshme pajisjesh teknologjike, përfshirë kompjuterë, USB, servera dhe kamera sigurie. Sipas të dhënave paraprake, dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky aktivitet i paligjshëm dyshohet të kalojë vlerën e 50 milionë eurove.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake, ndërsa mësohet se hetimet për këtë rrjet kishin nisur rreth dy vite më parë.

Si funksiononte skema mashtruese e call center-ave

Hetimet kanë zbuluar se call center-at e goditur operonin përmes një skeme të mirëorganizuar mashtrimi, e cila synonte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht ata që kishin humbur më parë para në investime online.

Fillimisht, viktimat kontaktoheshin nëpërmjet telefonatave nga operatorë që flisnin në gjuhën e tyre, si gjermanisht, italisht apo anglisht. Operatorët prezantoheshin si këshilltarë financiarë ose përfaqësues kompanish investimi dhe u premtonin qytetarëve rikuperimin e humbjeve të mëparshme ose mundësi të reja fitimi në bursa dhe platforma “trading”.

Pasi fitonin besimin e tyre përmes komunikimit të strukturuar dhe profesional, operatorët i bindnin viktimat të hapnin llogari në platforma të rreme online dhe të kryenin një pagesë fillestare, zakonisht rreth 500 euro. Kjo shumë paraqitej si hap i nevojshëm për të nisur procesin e investimit apo rikuperimit të fondeve.

Në vijim, viktimave u shfaqeshin fitime të rreme në llogaritë e tyre, duke krijuar idenë se investimi po rezultonte i suksesshëm. Kjo i shtynte ata të investonin shuma edhe më të mëdha parash.

Kur qytetarët kërkonin të tërhiqnin fitimet e pretenduara, atyre u kërkoheshin pagesa të tjera shtesë, si tarifa shërbimi, taksa apo komisione të ndryshme. Në momentin që viktimat nuk mund të kryenin më pagesa, kontaktet ndërpriteshin dhe paratë e transferuara humbisnin pa lënë gjurmë.

Sipas hetimeve, këto struktura funksiononin me ndarje të qartë rolesh, ku operatorët merreshin me komunikimin dhe bindjen e viktimave, ndërsa pjesë të tjera të stafit administronin platformat dhe menaxhonin transfertat financiare, shpesh përmes kriptovalutave për të fshehur gjurmët e parave.

Kjo skemë e sofistikuar, e mbështetur në manipulim psikologjik dhe organizim profesional, ka bërë të mundur mashtrimin e mijëra qytetarëve europianë dhe përfitimin e shumave që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›