Zbardhet vendimi i GJKKO për “Call Center-at”, 6 në burg pa afat, vetëm 2 me afat 20-ditor

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin për masat e sigurisë ndaj 8 personave të akuzuar për mashtrim kompjuterik.
Trupa gjykuese, e kryesuar nga gjyqtarja Flojera Davidhi, ka pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK, duke vleftësuar si të ligjshëm ndalimin dhe arrestimin në flagrancë të të dyshuarve, por duke diferencuar masat e sigurisë për dy prej tyre.
Masat e Sigurisë “Arrest në Burg” (Pa afat) Gjykata ka caktuar izolimin e plotë në burg, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, për 6 të dyshuar. Për këta shtetas, gjykata vlerësoi se ekzistojnë kushtet për mbajtjen në qeli pa afatizim kohor në këtë fazë të hetimit:
Klaudio Kaçupi
Hysen Xhebexhiu
Endri Gjata
Remir Gjoligaj
Elis Merkaj
David Qerimi
Masa “arrest në burg” me afat 20-ditor
Për dy të ndaluarit e tjerë, gjykata caktoi masën e arrestit me burg, por me një afat të kufizuar prej 20 ditësh (sipas nenit 245/1-d). Kjo periudhë i lihet në dispozicion Prokurorisë për të saktësuar provat ose pozitën e tyre procedurale. Nëse nuk sillen prova të reja brenda këtij afati, ata mund të kërkojnë ndryshim mase.
Rentjan Peposhi
Odeas Kuqi
Procedura
Në vendimin e datës 19.01.2026, Gjykata vleftësoi fillimisht si të ligjshëm ndalimin e Kaçupit dhe Xhebexhiut, si dhe arrestimin në flagrancë të gjashtë shtetasve të tjerë (Gjata, Gjoligaj, Merkaj, Qerimi, Peposhi dhe Kuqi), duke i hapur rrugë vijimit të hetimeve nga SPAK për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar dhe mashtrimin.
/rtsh.al/