E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbardhet vrasja e 23-vjeçarit në Dibër, Duka: Në pranga dy shtetas

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Artion Duka informoi sot mbi rezultatet e operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, të finalizuar pas një hetimi njëjavor, me metoda proaktive, për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D., 23 vjeç. Trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet nga shërbimet e Policisë, në afërsi të liqenit të Ulzës, më datë 9 korrik 2025, pas kallëzimit të babait të tij, për largimin nga banesa. Gjatë konferencës për shtyp, Duka u shpreh se menjëherë pas ngjarjes, grupi i posaçëm hetimor kreu një hetim intensiv njëjavor, me metoda speciale. “Si rezultat i një pune të mirëorganizuar hetimore, fiksimit dhe analizimit të provave nga vendngjarja, administrimit të shpejtë të informacioneve dhe pamjeve filmike të siguruara nga Policia në lidhje me autorësinë e rastit, si dhe i veprimeve të tjera profesionale policore, u bë e mundur zbardhja e autorësisë së vrasjes së shtetasit R. D.”, shtoi ai. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, u vunë në pranga shtetasit P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”; F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B.. Duka sqaroi se nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë. Sipas tij, 23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. “Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve”, shtoi ai. Duka theksoi se grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale. /m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›