Zbardhet vrasja e italianit, biznesmeni u qëllua për një fjalë goje! Shpallet në kërkim 48-vjeçari Kamber Sulçaj

Dy ditë nga vrasja me armë zjarri e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë që ndodhi në zonën e Salarisë në Tepelenë.
Kamber Sulçaj, 48 vjec nga Vlora është shpallur në kërkim si autori i dyshuar i vrasjes. Pas një konflikti për motive të dobëta, besohet për dritat e gjata të makinës, ai dyshohet se ka qëlluar me armë drejt biznesmenit dhe personave të tjerë që e shoqëronin.
Sulçaj është zbuluar pas verifikimit të kamerave të sigurisë së bizneseve që ndodhen në rrugën që përshkon zonën. Ato treguan automjetin e autorit që lëvizte me shpejtësi, në ikje nga vendi i ngjarjes.
Pas identifikimit të Kamber Sulçajt, policia gjeti të fshehur në një stan në një zonë të thellë malore makinën e tij dhe rrobat që kishte veshur ditën e krimit. Po ashtu u zbulua e hedhur një shkurre, një çantë që mbante një palë dylbi me rreze infra, një palë dylbi termike, një mbajtëse arme dhe një elektrik dore.
Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së tij dhe të familjarëve, u sekuestruan 2.5 milionë lekë, 3 armë gjahu, municion për armë gjahu me saçme, municion për armë me vjaska, 450 fara cannabis dhe 2 kasaforta.
Sipas policisë, vrasja e biznesmenit italian ndodhi brenda pak minutave. Debati për dritat e gjata të makinës bëri që Kamber Sulçaj të hakmerrej duke qëlluar drejt grupit të personave, e duke rrezikuar jetën e të gjithëve
48 vjeçari tashmë është shpallur në kërkim dhe akuzohet për vrasje në rrethana në tjera cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe shitje të lëndëve narkotike.
/vizionplus.tv