E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulime të reja në kalanë e Kaninës, gërmimet nxjerrin në dritë gjurmë ilire dhe rrisin interesin për turizmin

E parë si një nevojë për forcimin e mureve fortifikuese, punimet në Kalanë e Kaninës kanë nxjerrë në dritë gjurmë të rëndësishme arkeologjike.

Blloqe kuadratike dhe mure perimetrale që datojnë rreth 2400 vite më parë, të lidhura me Ilirinë, shtrihen deri te strukturat e plota të banesave të Arianitasve.

“Gjatë punimeve janë zbuluar dy objekte, kryesisht qeramike dhe një gjyle,” tha Orgest Feimi, drejtor i DRTK.

Gjurmët e zbuluara vijojnë që nga kalldrëmet me gjatësi deri në 8 metra, të papara më herët në Shqipëri, e deri te kullat dhe muret mbrojtëse.

Sipas arkeologëve, nëse sheshi prej disa hektarësh do të kishte mundësi për vijimin e gërmimeve, Kalaja e Kaninës do të ofronte një mozaik të plotë të pasurisë dhe trashëgimisë kulturore.

“Janë zbuluar tashmë mure perimetrale, një pjesë e një kulle, hyrja në qytetin e Kaninës, muret rrethuese të kalasë, si edhe Kulla e Sahatit, e cila ka qenë në një gjendje shumë të rëndë,” tha Surja Lela, arkeolog.

Kalaja e Kaninës mbetet, në rang qarku, objekti i dytë më i vizituar pas Butrintit, ndërsa për Bashkinë e Vlorës renditet e para. Gjatë këtij viti pritet të dyfishohet numri i vizitorëve, edhe falë lehtësirave që po ndërtohen, si tualetet, info point-i, amfiteatri dhe instalacionet përkatëse.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›